|
Kryetari i komunës së Vitisë , Nexhmedin Arifi si dhe 27 këshilltarët e ri të Kuvendit Komunal të dal nga zgjedhjet e fundit lokale, në seancën e sotme konstituive të kuvendit komunal, kanë dhënë betimin solemn për mandatin e ri katër vjeçar. Gjithashtu, kryetari Arifi ka bërë të ditur se ka vendosur që nga buxheti komunal të ndajë një shumë prej 10 mijë eurove, për zonat e prekura nga vërshimet në Shqipëri.
Kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi, ka thënë se në zgjedhjet e fundit lokale ka fituar koncepti i PDK-së për qeverisjen e ardhshme komunale, dhe ky koncept duhet të përkrahet edhe nga këshilltarët e Kuvendit Komunal për tu jetësuar. “Koncepti ynë për administratë në shërbim të plot të qytetarëve, tërheqje të investimeve dhe shërbime tjera më të mira për qytetarë është koncept që mund të realizohet bashkërisht me ju, pasi gjithë këto angazhime janë për të mirën e qytetarëve”, ka thënë kryetari Arifi. Ai ka theksuar se me ndihmën e këshilltarëve të KK-së, proceset e nisura para dy vitesh do ti avancoi edhe më tutje. Kurse Hamit Fazliu, përfaqësues i MAPL-së, ka theksuar se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal , si gjithnjë do të jetë e gatshme për mbështetje të institucioneve komunale të dala nga zgjedhjet, në mënyrë që bashkërisht ato të punojnë për të mirën e qytetarëve. Seancën konstituive të KK-së së Vitisë e ka udhëhequr këshilltarja më e vjetër Alije Bislimi. Në seancën konstituive të KK-së së Vitisë, kryetari i komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, ka bërë të ditur se ka vendosur që nga buxheti komunal të ndajë një shumë prej 10 mijë eurove, për zonat e prekura nga vërshimet në Shqipëri. “Duke parë gjendjen e rëndë nga përmbytjet e ujit, në të cilën gjenden qytetarët e disa zonave të Shqipërisë, kam vendosur që nga buxheti i komunës të ndajë 10 mijë euro për zonat e prekura nga këto vërshime”, ka thënë Arifi.
|